Site icon Telegrafi

​Raportimi për vaksinat, Zemaj konfirmon se është ftuar nga policia

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se edhe vetë është kontaktuar nga Policia e Kosovës, pas raportimeve në media se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk e nënshkroi një marrëveshje që do t’ia siguronte Kosovës 500.000 vaksina antiCOVID-19.

Zemaj në T7, tha se Policia e Kosovës e ka kontaktuar për ndihmë dhe të dëshmojë rreth procesit të sigurimit të vaksinave.

“Po, më kanë kontaktuar dhe më kanë kërkuar një lloj ndihme apo dëshmie rreth procesit. Për të njohur apo për të treguar se çka përmban një dokument, se si ai mund të klasifikohet si sekret”, tha ai.

Zemaj tha se dokumentet për sigurimin e vaksinave antiCOVID-19 nuk kanë qenë të klasifikuara, por ka ekzistuar një lloj dakordimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë farmaceutike, kjo për shkak të raportit me shtetet e tjera.

“Ato nuk kanë qenë të klasifikuara, por është një dakordim deri në nënshkrimin e marrëveshjes finale. Për shkak të raportit me shtetet tjera”, tha ai.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë më herët i ka quajtur të dëmshme, dashakeqe dhe të pavërteta raportimet në lidhje me atë se ai nuk nënshkruar kontratë me kompaninë Pfizer dhe BioNtech.

Për këtë thuhej se puna për furnizim me vaksina është kryer dhe se furnizimi me vaksina do të shtyhet deri në shtator.

Ai në një konferencë për media tha se sigurimi i vaksinave për qytetarët nuk është lojë, dhe kështu rrezikohet shëndeti i qytetarëve, teksa ka ftuar prokurorinë e shtetit të veprojë ndaj atyre që siç tha ai po e dëmtojnë këtë proces.

“Po të mos ishte i dëmshëm për procesin e sigurimit të vaksinave, ndoshta do të reagonim të hënën apo fare. Lajmi i publikuar në gazetën Insajderi është dëmshëm, i pavërtetë dhe dashakeq. Sepse ata që janë siguruar me kinse informacione janë krejtësisht të pasakta. Këto të dhëna janë konfidenciale dhe duhet të kuptojmë që kanë dëmtuar shëndetin qytetarë”, ka thënë Vitia.

Exit mobile version