Ministria e Mbrojtje ka mohuar sot se Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka humbur një dron.
Ministria e Mbrojtjes thekson se Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyrat e saj bazuar në mision.
“Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash, sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për formimin e një ushtrie të gatshme për mbrojtje të territorit.
Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake”, thuhet në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes thekson tutje se ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndajmë me publikun pa dhënë shumë detaje.
“Megjithatë janë evidente aktivitetet e shumta të FSK-së ku janë përdorur e përdoren pajisjet dhe sistemet më moderne të armatimit me të cilat FSK është furnizuar dhe po furnizohet vazhdimisht. Të tjera po vijnë, dhe të gjitha sipas standardeve të NATO-s”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, ditë më parë anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, duke iu referuar fotografive të kryeministrit Albin Kurti pranë dronëve Bayraktar kishte thënë se “amaterizimi i tyre që dalin bojnë foto me drona e ju humbin natën është humoristik dhe vepër penale”.