Telegrafi

Raporti sekret i BE-së: Vuçiq me hapa të ngadalshëm synon shkëputjen nga Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar që t’i vendosë sanksione Rusisë.

Në këtë vijë, vlerësohet të jetë edhe një dokument i Shërbimeve Evropiane të Inteligjencës, i cili u publikua të martën nga Radio Evropa e Lirë në Serbi.

Sipas këtij dokumenti të klasifikuar si sekret, Vuçiq pritet që shkëputjen nga Rusia ta bëjë me hapa të vegjël.

“Pritet që Presidenti i Serbisë të ndjekë një “politikë hapash të vegjël” për ta afruar Serbinë me Perëndimin. Qëllimi është që të shtyhet shkëputja përfundimtare me Rusinë dhe të përdoret ndryshimi i ardhshëm i drejtimit të politikës së jashtme, për të marrë nga Perëndimi sa më shumë lëshime politike dhe ekonomike për Serbinë”, thuhet në raportin e Inteligjencës Evropiane.

Sipas analizës, në mënyrë që Vuçiq ta zvarrisë pozicionimin me Perëndimin ose Rusinë, do ta përdorë edhe opozitën.

Madje në këtë raport theksohet se Vuçiq do ta shtyjë edhe formimin e qeverisë së re të Serbisë në mënyrë që t’i realizojë planet e tij.

Megjithatë, në Serbi jo të gjithë i besojnë këtij raporti, analisti serb, Dushan Janjiq, thekson se ka mundësi të jetë një propagandë.

“Ka mundësi të jetë një propagandë e mediave ose është një sinjali drejt Vuçiqit që ai ka kohë për t’u pozicionuar. Mirëpo, fatkeqësisht unë mendoj se shoqëria në Serbi nuk ka kohë. Secila ditë që kalon, është ditë drejt një katastrofe ekonomike në Serbi. Një prej problemeve kryesore është se Vuçiq po tenton të manipuloj, në mënyrë që të anashkaloj kapitullin 31. Ai po dëshiron që ta kapërcej harmonizimin e politikave të sigurisë me standardet evropiane. Ai dëshiron që t’i përmbushë kushtet që i dëshiron, e jo ato që i kërkohen”, kishte thënë Dusan Janjiq – Analist nga Serbia.

E shkëputjen nga Rusia, Vuçiq vlerësohet se për shumë arsye e ka të vështirë.

“Serbia është duke e mirëmbajt njëfarë politike të bashkëpunimit me të dyja anët, edhe me Unionin Evropian edhe me Serbinë. Këtë punë do ta zgjasë për aq sa mund ta zgjasë Vuçiqi. Por, një gjë duhet thënë se Vuçiq e ka një presion të madh që të bashkëpunoj me Rusinë edhe prej së brendshmi por edhe prej Rusisë, si pasojë e këtyre lidhjeve me biznesin dhe nëntokën”, ka deklaruar, Abit Hoxha – analist.

Në Serbi, gjatë kësaj jave, ministri i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, e kishte paralajmëruar një vizitë.

Megjithatë, ajo vizitë ishte anuluar, për shkak se shtetet fqinje të Serbisë, ia kishin pamundësuar Lavrovit, fluturimin për në Beograd./Portali D/