Qendra “Woodrow Wilson” në Washington ka publikuar sot një raport lidhur me konsolidimin e sovranitetit të Kosovës dhe çfarë duhet bërë.
Raporti jep rekomandime për vazhdimin e proceseve që janë në ngecje dhe rregullimin e politikave që pengojnë zhvillimin e Kosovës, përkatësisht njohjen e plotë të Kosovës nga shtetet e BE-së dhe anëtarësimin e saj në NATO.
“Fuqizoni bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Lehtësoni zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri plotësisht operacionale deri në vitin 2027 dhe nxitni bashkëpunim të mëtutjeshëm në stërvitje të përbashkëta ushtarake. Përcaktoni deri në vitin 2027 një rrugë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) duhet të qëndrojë në vend deri në atë kohë kur arsyet për prezencën e misionit nuk qëndrojnë më.
Nëse shfaqen kundërshtime të mëdha për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, dhe vendet e Evropiane të cilat e njohin Kosovën duhet të angazhohen, si alternativë, për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe mbrojtjes me Kosovën”, thuhet në raportin e publikuar.
Ndryshe, në këtë raport gjithashtu thuhet se Qeverisë së re nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti i nevojitet përkrahja e aleatëve ndërkombëtar të Kosovës, sidomos ShBA-ve dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ajo të jetësojë agjendën e saj të brendshme dhe që të konsolidojë sovranitetin e Kosovës. /Telegrafi/