Site icon Telegrafi

Raporti i Policisë për rastin e vdekjes së 23 vjeçares nga Drenasi

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se njësitet policore janë duke e hetuar rastin e vdekjes së 23 vjeçares nga Drenasi dhe për këtë është informuar edhe prokurori.

Sipas Policisë, viktimës sipas informatave të para i ishte keqësuar gjendja shëndetësore në vendin e punës.

“QKUK, Prishtinë, 15.09.2021-17:45. Viktima femër kosovare, të cilës sipas informatave të para i ishte keqësuar gjendja shëndetësore në vendin e punës, pasi ishte dërguar në QKUK kishte ndërruar jetë, dhe sipas mjekëve gjendja e saj shëndetësore ishte e rëndë. Sipas mjekëve të QKUK-së, rekomandimi i tyre ka qenë që trupi i pa jetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion, por familjarët ka refuzuar”.

Për shkak të dyshimeve, njësitet policore janë duke hetuar rastin dhe është informuar edhe prokurori.

Një 23 vjeçare në Drenas ka ndërruar të mërkurën, ndërkaq familjarët e saj thonë se vdekja ndodhi tri ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës kundër coronavirusit.

Pas deklaratave të familjarëve ka reaguar edhe QKUK.

Lexo po ashtu Familjarët thanë se vdiq pasi e mori vaksinën kundër COVID-19, prokuroria nis hetimet për 23-vjeçaren nga Drenasi

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë sqarime rreth vdekjes së 23 vjeçares në Drenas, për të cilën familjarët kanë pohuar se ajo ka ndërruar jetë tri ditë pasi ka marrë vaksinën kundër COVID-19.

Klinika Emergjente thotë se pacientja është sjellë në klinikë, me humbje të vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar, ku më pas nuk ka arritur të mbijetonte, transmeton Telegrafi.

“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”, thuhet në reagimin e QKUK-së.

Klinika Emergjente thekson se “Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark) , shok hemorragjik”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version