Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
Ky studim ishte paraparë të behët në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.
Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.
Pas këtij raporti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet seriozisht në zbatimin e Marrëveshjes së Washingronit.
Drejtorit ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të gjeturat e këtij raporti duhet të zbatohen, sipas shembullit të një marrëveshje të ngjashme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë për shfrytëzimin e resurseve të përbashkëta ujore.
“Për sa i përket Studimit të Fizibilitetit të kryer nga Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si njëra ndër zotimet që buron nga Marrëveshja e Washingtonit, besojmë se ajo do të orientojë të dyja shtetet drejt përcaktimit të modaliteteve ndërshtetërore për shfrytëzimin e resurseve të liqenit të Ujmanit. Duke mos imponuar detyrimisht ndonjë zgjidhje për të dyja shtetet, studimi i referohet edhe shembullit të një marrëveshje të ngjashme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë për shfrytëzimin e resurseve të përbashkëta ujore. Oda Amerikane beson që Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me zotimet e ndërmarra me nënshkrimin e marrëveshjes më 4 shtator të vitit të kaluar duhet të marrë në konsideratë të gjeturat e këtij studimi, si dhe të angazhohet seriozisht në zbatimin e zotimeve të tjera”, tha Zeka.
Sipas tij, Marrëveshja e Washingtonit do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike në vend, përmes nxitjes së investimeve të brendshme e tërheqjes së investimeve të jashtme.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një kornizë bashkëpunimi që do të hapte mundësi të reja për zhvillim ekonomik për të dyja shtetet ashtu si edhe për tërë Ballkanin Perëndimor, duke përmirësuar shkëmbimin reciprok ekonomik, siguruar burime të reja të financimit, si dhe duke përdorur në mënyrë më efikase asetet e përbashkëta natyrore. Oda Amerikane vlerëson se marrëveshja do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes nxitjes së investimeve të brendshme e tërheqjes së investimeve të jashtme, si dhe krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës”, përfundon ai.
Më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për normalizim ekonomik.
“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në dokument.
Ndërsa, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje.
Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.
“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në: përcaktimi i alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; eksplorimi i mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm); dhe Sigurimi që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhej në plan.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga SHBA-ja. /Telegrafi/