Site icon Telegrafi

Raporti i Komisionit Evropian: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave

Raporti i progresit i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2022 është i qartë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, duke riktheksuar faktin se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe liberalizimi i duhet t’i jepet sa më shpejt Kosovës”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Më tej në raport thuhet thotë se vendi ynë është duke lëvizur përpara dhe në drejtimin e duhur, megjithatë ka disa segmente ku nevojitet ende progres.

“Kosova është duke lëvizur drejt BE-së dhe shumica e gjërave po ecin në drejtimin e duhur”, thuhet në raport, të cilin sot Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyogi, do t’ia dorëzojë presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Komisioni Evropian u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve duke e vlerësuar atë si thelbësore për integrimet evropiane.

“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme dhe të ndihmojë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në raport.

Po ashtu një pjesë e raportit ka të bëjë me veriun e Kosovës, ku thuhet se situata atje mbetet sfiduese, veçanërisht në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirisë së shprehjes.

Komisioni Evropian thekson se sa u përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Në raport thuhet se  nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.

Raporti thekson se Kosova gëzoi një qëndrueshmëri politike me një qeveri më shumicë solide në Parlament, puna e të cilit u ndikua negativisht nga atmosfera e polarizuar politike dhe vështirësitë për të siguruar kuorum vendimmarrës.

Exit mobile version