Site icon Telegrafi

Raporti i KE-së për Kosovën, nuk përmendet heqja e vizave – kërkohet largimi i taksës

Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin e progresit për vitin 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në raportin e tij për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Në raport përmendet edhe numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj.

“Rritja e tepruar e qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj”, thuhet në raportin e KE-së, transmeton Telegrafi.

Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese.

Lexo po ashtu Hoxha: Pres që raporti i Komisionit Evropian të jep vlerësim për viza

“Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme. Janë arritur disa përparime pas miratimit të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Ligjit për Ndërmjetësim dhe avancimi i sistemit elektronik i menaxhimit të rasteve. Gjyqësori ende është i prekshëm ndaj ndikimeve politike”, thuhet në raport.

Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në raport thuhet e ka ende punë për tu bërë në këtë aspekt duke përmendur vendosjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal , Kosova vazhdoi të merrte pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Megjithatë, vendimi i Kosovës për të vendosur një tarifë prej 100% në importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka dëmtuar përpjekjet e bashkëpunimit rajonal. Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë , Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të revokojë tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjore me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksohet në raport. /Telegrafi/

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Exit mobile version