Katër personat që vdiqën kur superjahti Bayesian u fundos në brigjet e Sicilisë muajin e kaluar, janë asfiksuar pasi oksigjeni u varfërua në një xhep ajri ku ishin bllokuar, ka raportuar agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Jonathan Bloomer, gruaja e tij Judy Bloomer, avokati Chris Morvillo dhe gruaja e tij Neda Morvillo, ishin ndër shtatë personat që humbën jetën kur anija u fundos gjatë një stuhie të dhunshme.
Ekzaminimet pas vdekjes zbuluan se asnjëri prej tyre nuk kishte ujë në mushkëri, duke sugjeruar se nuk u mbytën, sipas raporteve.
Miliarderi britanik Mike Lynch, vajza e tij 18-vjeçe Hannah Lynch dhe kuzhinieri i jahtit Recaldo Thomas humbwn gjithashtu jetwn në këtë incident.
Grupi po udhëtonte në jaht pas lirimit të Lynch nga akuzat për mashtrim në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.
Hetuesit besojnë se kabina e të katërve u gjet e mbushur me dioksid karboni pasi furnizimi me oksigjen u zvogëlua, duke çuar në vdekjen e tyre.
Sipas mediave italiane, zhytësit e përfshirë në gjetjen e trupave gjetën viktimat në anën e majtë të kabinave, një tregues se ata po përpiqeshin të arrinin xhepat e fundit të ajrit të mbetur ndërsa anija u anua në të djathtë gjatë fundosjes.
Gjithashtu tek katër viktimat nuk ka pasur shenja lëndimesh të jashtme. /Telegrafi/