Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Svetozar Antoviq dhe udhëheqësi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, kanë njoftuar sot se pas ngjarjes tragjike në Koçan, për një kohë shumë të shkurtër janë kryer 59 autopsi dhe identifikime të të vdekurve.
Siç u theksua në konferencën për media, u formuan gjashtë ekipe, të përbëra nga ekspertë të mjekësisë ligjore, patologë dhe ekipe të MPB-së.
“Të gjitha viktimat u zbuluan se kishin vdekur nga asfiksia e dhunshme, e shkaktuar drejtpërdrejt nga zjarri. Pritet që të gjitha raportet e autopsisë të përfundojnë deri në fund të marsit. Veshjet dhe të gjitha sendet e gjetura tek të vdekurit ndodhen në Institutin dhe do t’i kalojnë Prokurorisë”, u tha në konferencë.
Sipas Stankov, menjëherë pas marrjes së informacionit për zjarrin, të gjithë punonjësit e Institutit kanë arritur në vendet e tyre të punës për vetëm një orë dhe është hartuar plan për veprime të duhura.
“Qëllimi ishte përfundimi i shpejtë dhe cilësor i autopsive që filluan në mbrëmjen e 16 marsit dhe përfunduan në mëngjesin e 18 marsit, si dhe për të siguruar identifikim të saktë”, theksoi Stankov.
Ai së bashku me dekanin e fakultetit u shprehën ngushëllime familjarëve të të ndjerit dhe u uruan shërim të shpejtë të lënduarve që ndodhen në spital./Telegrafi/