Sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare në sektorin publik ka shënuar një rritje prej 18% gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin paraprak.
Kjo rritje lidhet me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave në Sektorin Publik.
Kështu është shprehur ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook.
Duke komentuar raportin e ASK-së, Murati ka theksuar se ky raport u përgjigjet edhe kritikave të opozitës.
“Edhe njëherë, si çdoherë tjetër, demantohen të pavërtetat e opozitës sa i përket rritjes së pagave.”
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023. Sipas ASK-së, në vitin 2023, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 570 euro, derisa në vitin 2022 ishin 521 euro, me një rritje prej 49 eurosh nga viti paraprak.
Kurse, paga neto, në vitin 2023 ishte 506 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 446 euro. Pra, një rritje prej 60 eurosh. /Telegrafi/