Nol Lajqi është një emër i ri në skenën e muzikës hip-hop.
Emri i tij debutues artistik është Nolle, dhe projekti i parë muzikor që ka prezantuar për publikun mban titullin “Le ta dijn krejt”.
Referuar suksesit që ka filluar të shënojë me këtë këngë, Telegrafi ka realizuar një intervistë me rap-artistin e ri nga Peja, në mënyrë që “le ta dijnë krejt” se kush është ai.
“Nolle ësht një djalë 20 vjeçar i lindur e i rritur në qytetin e Pejës. Kam qenë i apasionuar me muzikën dhe letërsinë qysh në vitet e hershme. Shkollën fillore dhe të mesme e i kam përfunduar në Pejë. Vi nga një familje me tradita qytetare, edhe pse me prejardhje jam malësor. Rap-in e kam pasur hobi, por tani synoj të shndërroj në profesion. Gjithçka nis prej inspirimit. Inspirimin e gjej në letërsi, në realitetin që më rrethon në familje, shoqëri etj…”, e nis rrëfimin me një autobiografi për jetën e tij rap-artisti Nolle.
Në vazhdimin e bisedës për Telegrafin, ai ka folur rreth këngës së tij të parë, duke treguar në detaje se si nisi gjithçka.
“Projekti ka qenë ideja ime. Ideja e projektit në fjalë, është pasqyrim i realitetit që na rrethon. Paraprakisht realitetin që e jetoj vet. Kam synuar të jap një mesazh te publiku, dhe të them se edhe nëse e ndjen vetën që ke talent apo potencial të bësh një punë që e do, bëje, mos prit prej askujt me ta zgjatë dorën”, ka thënë Nolle për Telegrafin.
Nart Kelmendi është personi së cilit i është besuar masteringu i këngës “Le ta dijn krejt”. Nolle ka treguar më tutje arsyen se pse ka zgjedhur këta bashkëpunëtorë.
“Çdo rrugë e ka një destinacion të caktuar. Autor i tekstit jam unë vet. Kam vendos të shkoj ta incizoj, kam shkuar në studio te Narti, i ka pëlqyer projekti pa masë dhe kemi punuar me shmë përkushtim dhe pasion, dhe si rezultat i punës “Le ta dijn” ka qenë një sukses për neve. Arsyeja pse kam vendosur ta krijoj projektin bashkë me Nartin, është se e kam parë potencialin dhe talentin që e ka si producent i ri, edhe pse të mos ja jap mundësinë dikujt që vërtet e meriton të merret me këtë punë”, potencon rap-artisti i ri pejan.
I pyetur nëse suksesi i këngës së parë ka shërbyer si motivim për nisjen e projekteve të reja, ai thotë se patjetër që qëndron një gjë e tillë, ndërsa ndjehet tejet i lumtur që puna e tij është shpërblyer dhe kënga është pritur me sukses.
“Sinqerisht më vjen mirë se rezultati ka qenë i këtillë. Shpresoj se edhe projektet vijuse që do i sjellë, kanë me u pritë mirë nga publiku. Si do që të jetë janë ata të cilët duhet të jenë të kënaqur me punën time. Jam duke punuar në disa projekte muzikore të cilat i takojnë zhanrit të HipHopit. Por prapëseprapë nuk e kufizoj vetën kur është puna te muzika. Por preferoj të shkruaj tekste, çka besoj është pak e mangët në ditët e sotme”, thotë tutje Nolle.
Por, sa është e vështirë në tregun e sotëm të depërtosh si artist i ri?
“E vështirë ështe me të vëtetë, sidomos kur nisesh me hapat e tua, por s’jam i fundit e as i pari që e nisi ketë rrugëtim”, tha reperi i ri për Telegrafin.
Cilat janë synimet e Nolles?
“Si çdo artist, autor i madh, synoj që të krijoj vepra origjinale. Besoj se janë veprat ato të cilat pasqyrojnë karakterin e individit dhe personalitetin e tij. “Objektet” materiale janë me të vertetë esenciale për jetën, por për mua familja vjen në rend të parë”, thotë reperi nga Peja.
Emrat që e frymëzuan drejt muzikës hip-hop…
“Nëse flasim për tregun shqipfolës ka emra të shumtë që vlen t’i përmeni, por po i them vetëm tre: MC Kresha, i cili e ka deshmuar pasionin dhe dashurinë që e ka për hip hop-in dhe diturinë, 2 – Lyrical Son, i cili tërë këto vite ka qenë dhe ështe shembull për artista, dhe 3 – Unikkatili, që do të mbetet ikonë e rap-it shqiptar. Por ka edhe shumë të tjerë si: N\BimBimma, Elinel etj”, ka potencuar reperi Nol Lajqi.
Duke premtuar projekte të shumta muzikore në muajt në vazhdim, Nolle e përmbyll këtë intervistë me një falënderim për publikun, gjersa jep një mesazh për të gjithë lexuesit e Telegrafit.
“Për fund, doja të ndaja me ju një shprehje që më pëlqen shumë, dhe e cila thotë: “S’ka rëndësi sa ditë i jeton në jetë, por sa jetë ki brenda ditës. Rrini pozitiv, në paqe, harmoni, dhe dëgjoni muzikë të mirtë”, ka përfunduar reperi Nolle. /Telegrafi/