Telegrafi

Rangers triumfojnë në derbin e çmendur skocez në fushën e Celtic, gara për titull tani bëhet edhe më interesante

Në Skoci ka pasur festë sot, pasi është zhvilluar ndeshja më e madhe në shtetin britanik mes Celtic dhe Rangers.

Derbi i qytetit Glasgow i ka takuar mysafirëve të Rangers që kanë triumfuar në fushën e Celtic me rezultat të ngushtë 1-2.

Ka qenë një ndeshje e çmendur e që tifozët kanë pasur se çka të shohin, pasi përveç golave pati edhe penallti të humbur, kartonë të verdhë e të kuq si dhe përplasje mes futbollistëve në fushë.

Ryan Christie humbi penalltinë për Celtic në minutën e 33-të, ndërsa tre minuta më vonë mysafirët kaluan në epërsi me golin e sulmuesit Ryan Kent.

Vendasit barazuan rezultatin në 1-1 kur Odsonne Edouard shënoi pasi kishte devijuar goditjen e McGregor.

Në minutën e 56-të, mysafirët realizuan golin e fitores, kur shënoi qendërmbrojtësi kroat Nikola Katic.

Fitorja e Rangers e ka bërë edhe më interesante luftën për titullin e kampionit në Skoci.

Celtic vazhdon të mbetet në krye të tabelës me 52 pikë pas 20 ndeshjeve, ndërsa Rangers janë në pozitën e dytë me dy 50 pikë, por që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Pas problemeve të shumta viteve të fundit, Rangers tani kanë bërë një ekip konkurrues dhe qëllimi është që të shpallen kampion për ta ndalur dominimin e rivalit lokal Celtic. /Telegrafi/