Site icon Telegrafi

Ramush Haradinaj e dekoron Rita Orën në Londër: Përmes muzikës, ajo ka bërë më shumë se të gjithë ne

Ramush Haradinaj dhe Rita Ora

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Londër ku po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor është takuar me shumë emra të njohur.

Ai është takuar dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.

Lexo po ashtu Haradinaj dhe May flasin për fuqizim të bashkëpunimit

Përveç krerëve të shtetit, Haradinaj është takuar edhe me emra tjetër njohur nga fusha e artit.

Njëra ndër to është edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, me të cilën është takuar gjatë mbrëmjes së sotme (e martë).

Ka qenë këshilltarja e kryeministrit, Meliza Haradinaj-Stublla, ajo e cila ka publikuar një fotografi në InstaStory gjatë takimit të Ramushit me këngëtaren shqiptare.

Ramush Haradinaj takon Rita Orën në Londër (Foto: Meliza Haradinaj/InstaStory)

Nga fotografia në fjalë duket se Haradinaj i ka dorëzuar edhe një mirënjohje Ritës, e cila e ka pranuar me buzëqeshje.

“Përmbyllje e mirë e një dite pune konstruktive në Londër. Takim miqësor me kosovaren më të famshme, Rita Ora, që ngjyrave të flamurit tonë i ka dhënë shkëlqimin më të mirë. Rita përmes muzikës ka bërë më shumë se gjithë ne, e ka ndërkombëtarizuar Kosovën. Ambasadores së nderit, të shpallur sot e tri vite më parë, i dhurova Hyjneshën në Fron të gravuar në filigran për ta nderuar dhe për t’i përçuar mesazhin e gjithë shqiptarëve: Faleminderit që të kemi. Faleminderit që, përkundër që preke majat e suksesit në botë, nuk i harrove rrënjët tua! Our golden Rita Ora. Thank You” (sic.), ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kujtojmë që Rita u takua me kryeministrin për herë të fundit kur ishte në Kosovë më 17 shkurt, me rastin e kremtimit të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Artistja Ora është një prej emrave më eminentë në tregun britanik, dhe është shquar gjithmonë si njëra ndër ambasadoret më të mira të Kosovës – si rrjedhojë ajo numëron mirënjohje e dekorime të shumta nga krerët e lartë të shtetit, duke kujtuar këtu dekoratat nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, dhe presidenti aktual, Hashim Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version