Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar sërish për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur mbrëmë në Gllogjan, ku të vrarë kanë mbetur shoferi i një autobusi dhe dy nxënës.
Ramosaj ka ngushëlluar familjet e viktimave, dhe ka kërkuar nga qytetarët që nëse kanë informacione rreth krimit të bashkëpunojnë me institucionet relevante, transmeton Telegrafi.
“Mëngjes i trishtë për Deçanin, e tërë kombin tonë, pas sulmit makabër që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, ku humbën jetën dy nxënës, Genta Mustafaj e Ledian Hamzaj dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj, ku mbeti i plagosur edhe nxënësi Fliant Turkaj nga Dubrava e Deçanit. Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante”, ka thënë Ramosaj përmes një postimi në Facebook.
Vrasje tragjike në Gllogjan të Deçanit ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00. Policia ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47, krimi është kryer nga një person i cili ishte i maskuar.
“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari gjendet në arrati. /Telegrafi/