Sergio Ramos është i bindur se Francesco Totti do të ishte lojtari kryesor i cilitdo klub, po të vendoste të largohej nga Roma.
Legjenda italiane e futbollit i jep fund karrierës së tij si futbollist te Giallorossët dhe e gjithë bota e futbollit po dërgojnë mesazhe për ta nderuar kapitenin.
Totti ka luajtur për 25 vite vetëm me një fanellë, përkundër ofertave që i ka pasur që të luajë për klube më të mëdha – një prej tyre ka qenë edhe Real Madridi ku luan Ramos.
“Mendoj se Totti nuk do ta kishte kurrfarë problemi të luante në një klub tjetër të madh, sepse ai është golashënues i lindur dhe lojtarët e mëdhenj gjithmonë gjejnë një mënyrë për t’u përshtatur në një skuadër”.
“Kur të bëhet lista për lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, nuk ka dyshim se Totti do të jetë aty”.
“Vërtet besoj se ai do të mbahet mend si një prej më të mëdhenjve”, ka deklaruar qendërmbrojtësi spanjoll për Roma TV. /Telegrafi/