Ish-kampioni i Kosovës, Feronikeli edhe zyrtarisht ka mbetur pa kryetar të klubit.
Kryetari i deritanishëm i klubit, Ekrem Elshani ka dhënë dorëheqje publike nga posti i tij në klub.
Këtë gjë Elshani e ka bërë pasi një gjë e tillë iu kërkua nga kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci.
Ka qenë vet Elshani që në një postim në profilin e tij zyrtar ka bërë publik vendimin e tij.
“Unë Ekrem Elshani deri më tani kryetar i klubit futbollistik Feronikeli sot jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet drejtuese të klubit”, ka shkruar Elshani.
Tutje ish-numri një i Feronikelit, zbulon edhe arsyet e dorëheqjes së parevokueshme nga klubi gjelbër e zi.
“Gjatë ceremonisë së shpalljes së sportistit të vitit në Komunën e Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci kërkoi publikisht nga unë që të jap dorëheqje dhe t’i lirojë rrugë dikujt tjetër që ta dërgoj klubin përpara”.
“Mua nuk më mbetet tjetër vetëm ta respektojë këtë kërkesë publike të kryetarit”, ka shkruar ndër tjera Elshani.
Ndër tjera, Elshani ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e deritanishëm te Feronikeli dhe i ka uruar suksese skuadrës në të ardhmen. /Telegrafi/