Telegrafi

Ramiz Kelmendi: Komunat të përkrahin bizneset

Agim Shahini është zgjedhur edhe për një mandat tjetër kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB). Ndërsa , nënkryetarë të AKB-së janë zgjedhur Skënder Krasniqi, Suat Berisha, Bashkim Osmani dhe Burim Piraj.

Para se të bëhej zgjedhja e kryesisë së re, Shahini ka thënë se Aleanca Kosovare e Biznesit ka qenë dhe vazhdon të mbetet zëri i bizneseve kosovare dhe prodhuesve vendor.

Ndërsa, afaristi Ramiz Kelmendi – që njëherësh është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës – në këtë Kuvend foli për rëndësi që kanë institucionet qeverisëse lokale në mbështetjen e bizneseve.

Përkrahje e prodhuesve vendor, sipas Kelmendit, nuk bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe nuk rrezikon tregun e lirë dhe konkurrencën në treg. Ajo që bizneset duhet të bëjnë, sipas tij, është që të kërkojnë të jenë të barabartë me konkurrentët e tjerë që operojnë në vend.

“Ndryshojeni bindjen edhe të organeve lokale që ta kuptojnë që njerëzit që e zhvillojnë Kosovën janë afaristë. Ata kanë emër dhe mbiemër, por kanë edhe përkatësi politike. Nuk është e thënë që duhet të kenë përkatësi ata njerëz që korrespondojnë me partinë politike të njëjtë me udhëheqësit komunalë. Prandaj, vazhdoni të këmbënguleni që t’i shtyni këta liderë të komunave që t’i hapin dhe t’ju japin mundësi prodhuesve vendorë, investitorëve vendorë, që të jenë jo të favorizuar po të barabartë dhe të mos jenë të penguar për arsye se kanë përkatësi tjetër politike”, theksoi Kelmendi.

Fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe kryetari i Shoqatës së Biznesit në Ulqin, Kabil Kurti, i cili tha se me AKB-në kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe se kjo Aleancë ka ndihmuar edhe në promovimin e produkteve shqiptare që vijnë jashtë kufirit të Kosovës.