Dje (e diel) ka ndodhur një aksident i tmerrshëm në Kroaci, ku një autobus me targa të Kosovës doli jashtë autostradës, duke u rrëzuar dhe lënë në vend të vdekur plot 10 vetë.
Shumë shqiptarë nga Kosova humbën jetën në këtë aksident tragjik, gjersa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, thotë se ngeli i tronditur me të dëgjuar për rastin tragjik.
Teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, artisti ka shkruar se po atë të ditë e përcolli vëllanë e saj drejt Gjermanisë, teksa e ka telefonuar atë me dhjetëra herë me të dëgjuar për rastin.
Ky është postimi i tij i plotë (pa ndërhyrje):
“Dje me sabah e përcolla vllaun e dyte per Gjermani. Nji nat’ përpara u mundova me i ba pak muhabet, ia shtrova nji darke, e ia knova do kange qe i ka per qef – se e kish shkrumu malli qe nji vjet.
Per me ba ma me shume shyhret percjelljen e tij per gyrbet u mledhen krejt anetaret e familjes, ani pse Nana s’mujti me na u bashku. S’mujti se e kan lane kamte tu nga mas neve, i ka rrite 8 fmije. Po na se nalem shyhretin tu e dite qe ajo lumturohet kur e din qe na po knaqem.
E dje gjate dites morra vesh per aksidentin ne Kroaci ! Me njiqin pune rreth festivali, nuk mujsha me u nal’- e u permbajsha, po mrena isha mush’ tan lot vaji. M’doket nja dhjet here e kam thirre vllaun me e vertetu qe o mire.
As me i qu ment spo guxoj se çfare dhimte kan familjart e tyne. Spo guxoj se s’jam qaq i fort’. Po Zotit pi lutna qe shpirtat e tyne t’bardhe me gjete qetsine ne parajse.
Krejt familjarve e bashkatdhetarve ngushllimet ma t’sinqerta. Zoti u dhashte foce e gajret”, ka shkruar Lahaj në Facebook.
I njëjti këto ditë ndodhet në Kosovë, për koncertin e radhës që do ta organizojë në gusht, ndërsa edhe ka premtuar organizimin e një festivali operistik në Prishtinë. /Telegrafi/