Site icon Telegrafi

Ramadani: Transicioni i FSK-së është i sigurt dhe i pakthyeshëm

Sipas zëvendësministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, nuk ka vend për skepticizëm, transicioni i FSK-së është i sigurt dhe i pakthyeshëm.

“Vendimi për procedimin e projekt-ligjeve nga Qeveria për në Kuvendin e Kosovës nuk është as i atypëratyshëm, as i ngutshëm dhe as i papërkrahje. E tëra bazohet në një punë jashtëzakonisht të detajshme, përpjekjeve të gjata, punë të përbashkët me partnerët strategjikë dhe planit të qartë 10 vjeçar”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Prandaj, siç ka shtuar tutje ai, “jemi në rrugë të sigurt. Pa asnjë dilemë!”.

“Kosova po kthehet gradualisht në kontribues për sigurinë rajonale dhe globale. Djemtë e vajzat e Kosovës do të jenë krah-për-krah me botën demokratike për të siguruar paqen kudo nëpër botë. Rajoni ynë do të përfitojë nga transicioni i FSK-së. Qytetarët dhe komunitetet në Kosovë do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e FSK-së”, ka shkruar Ramadani. /Telegrafi/

Exit mobile version