Site icon Telegrafi

Ramadani: Transformimi i FSK-së në ushtri zgjat 10 vjet

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se është larguar çdo dilemë nëse deputetët serbë do të përkrahin krijimin e ushtrisë së Kosovës. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës tashmë kanë nisur procedurat për transformimin e FSK-së, pavarësisht se kjo mund të përdoret si argument nga Serbia, se ushtria po bëhet pa pëlqimin e serbëve të Kosovës.

Ditë më parë një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë tregoi se largimet masive të pjesëtarëve serb të FSK-së, janë orkestruar nga  elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.

Ky konstatim është parë nga autori i raportit, Shpat Balaj si tendencë për rrëzimin e multietnicitetit.

“Rrjedhimisht, këto veprime kanë larguar çdo dilemë se Lista Serbe do t’i përkrahë ndonjëherë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së”, thotë Balaj.

“FSK-ja është e ndërtuar mbi parimin e shumë llojllojshmërisë dhe multietnicitetit, prandaj mos ndryshimi i Kushtetutës në këtë aspekt, nuk tregon se është duke u formuar një ushtri shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare insiston që të ketë gjithë përfshirje në çdo proces në Kosovë. Por, bashkësia ndërkombëtare e ka edhe të qartë që Lista Serbe është e pa-mundshme me e votu transformimin e FSK-së”,  ka thënë Shpat Balaj.

Në hulumtim thuhet se operacioni është ndihmuar nga krerët e shtetit serb.

Politologu Ramush Tahiri thotë se kjo tashmë dihet se shteti serb ka ndikim në jetën e serbëve të Kosovës.

“Në tendencat që të krijohet ushtria, ata kanë thanë (Vuçiq, Daçiq) pasi po donë me kriju, le ta krijojnë shqiptarët por pa serb. Dhe, kjo ka dhënë rezultate të konsiderueshme sa i përket politikës serbe. Dhe, tash janë larguar masovikisht dhe Kosova nuk po e plotëson atë kuotën e caktuar  që e ka për komunitetin serb, komunitetet tjera janë të përfaqësuara por përfaqësimi serb ka mbet që thonë për tu dëshiruar por nuk është që është plotësuar kriteri” tha Tahiri.

Rrëzimi i multnietnicitetit i synuar nga Serbia sigurisht për tu përdorur si argument nga ana e saj, se ushtria po krijohet pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, nuk shihet si problem nga drejtuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, i tha Radio Kosovës se transformimi i FSK-së do të nis tani dhe do të zgjasë 10 vjet, derisa, do të njihet nga të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën shtet.

“Ne kemi punuar në vazhdimësi me shtetet partnere dhe me organizatat partnere. Ushtria respektivisht FSK me mandat ushtarak e fillon trazicioni tash, do t’i merr 10 vjet proces të përmbylljes së këtij tranzicioni. Është e njohur ashtu sikurse është Kosova e njohur si shtet, pra prej të gjithëve që e njohin shtetin e Kosovës, pra do ta njohin edhe institucionet e saj, në këtë kuadër edhe ushtrinë e saj”, tha Ramadani

Qeveria ditë më parë ka proceduar projektligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kurse faktori ndërkombëtar ka vazhduar të përsërisë se do të përkrah këtë proces, vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, ku kërkohen edhe 2/3 e votave të  deputetëve të pakicave.

Exit mobile version