Ferizaj dhe Gjilani kanë ndarë pikët pasi kanë luajtur baras 1-1 në kuadër të xhiros së 10-të në Albi Mall Superligë.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Panadic, por mysafirët nga Gjilani barazuan shifrat në 1-1 në minutat e fundit të ndeshjes.
Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani ka thënë se barazimi ka qenë i drejtë.
“Ekipi është i ngarkuar psikologjikisht, por nuk është justifikim. Pjesën e parë kishim një rast, ndërsa në të dytën kishim rastin për të përmbysur rezultatin, por në fund të shpëtosh humbjen është e barabartë me fitore”.
Tutje trajneri Ramadani tha se në Ferizaj udhëtuan për fitore, por që është meritë edhe e skuadrës vendase që ndeshja përfundoi baras.
“Kemi marrë një pikë, nuk erdhëm për të kalkuluar me rezultatin, pasi erdhëm për të fituar. Është një meritë e Ferizajt që dolëm me barazim në këtë takim”, ka thënë Ramadani.
Gjilani vazhdon të mbetet në pozitën e tretë me 15 pikë, derisa Ferizaj është e fundit me vetëm tetë pikë. /Telegrafi/