Prishtina është mysafir i Ballkanit në ndeshjen e xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa para takimit është prononcuar trajneri i kryeqytetasve, Zekirija Ramadani.
Të dyja skuadrat do ta zhvillojnë ndeshjen në Suharekë pas humbjeve respektive, nga Trepça ’89 dhe Gjilani, në xhiron e tetë.
“Lojë të lehtë nuk ka. Të vështira janë të gjitha takimet. Sidomos kur përballesh me një ekip që është në superformë e që ka futbollistë brenda skuadrës që janë në formën më të mirë”.
“Por, jemi munduar t’i shfrytëzojmë në maksimum këto dy ditë që i kishim në dispozicion që të përballemi ashtu siç duhet dhe si na ka hije neve si Prishtinë atje përball Ballkanit.
“Normalisht do të fillojnë takimin ata që janë më të përgatitur dhe kemi përball ekip shumë të mirë, kemi gjyqtarë të mirë, besoj se Dardan Çaka është ndër gjyqtarët më të mirë në Superligë, dhe jam i bindur që do të japim të paktën atë që dhamë në Drenas dhe nëse mundemi të japim diçka më tepër do të jetë shumë më mirë, por më e pakta se ajo në Drenas nuk duhet të jetë asnjëherë”, ka deklaruar Ramadani për faqen zyrtare të Prishtinës. /Telegrafi/