Telegrafi

Ramadani: Nëse nuk respektohen rekomandimet, mund të rikthehemi mbrapa dhe me pasoja

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani në konferencë për media duke folur për rastet e fundit me coronavirus në vendin tonë ka thënë se situata është nën kontroll.

Ai ka bërë të ditur se rritja e numrit me coronavirus, ka ardhur për shkak të festës së Bajramit, fillimit të punës së institucioneve. Po ashtu thotë se edhe hapjes së ekonomisë ka ndikuar pasi ka një lëvizje më të madhe të qytetarëve.

Lexo po ashtu Zemaj: Pas rritjes së rasteve me coronavirus, do të shtohen kontrollet - nuk ka vend për panik

“Duke pasur parasysh që kemi pasur festat e muajit të kaluar, fillimi i punës së institucioneve, hapjes së ekonomisë ka ndikuar që të ketë një lëvizje më të madhe të qytetarëve dhe kjo drejtpërsëdrejti është parë edhe në rritjen e rasteve në disa komuna, jo në të gjitha, më saktësisht në gjashtë komuna kemi rritje të rasteve të cilat në një realitet të vatrave epidemike janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me mos zbatimin e masave”, tha Ramadani.

“Besoj edhe këtë javë do ta tejkalojmë me sukses të shkëlqyeshëm dhe pa pasoja te mëdha me pasoja minimale që mund të krahasohet nesër në raport me vendet e tjera, ndër më të suksesshmet në botë, prandaj duhet ta ruajmë këtë normalitet duke iu përmbajtur këtyre rekomandimeve mos e keqkuptu situatën”, theksoi ai.

Ramadani ka lutur qytetarët që t’ju përmbahen strikt rekomandimeve.

“Nëse nuk u përmbahemi këtyre rekomandimeve që janë shumë të thjeshta, mbajtja e distancës, vënia e maskës dhe higjiena personale, ne mund të rikthehemi mbrapa, fatkeqësisht edhe me pasoja”, tha Ramdani me lutjen ndaj qytetarëve për respektim të masave. Maska është domosdoshmëri dhe duhet të mbahet patjetër”, tha Ramdani, njofton Telegrafi.