Telegrafi

Ramadani: Ftesa më befasoi, ndjesi e veçantë të jem pjesë e Kombëtares

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci shpalli lsitën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Turqinë dhe befasi ishte ftesa për Ylber Ramadanin.

Ylber Ramadani komentoi në një lidhje nëpërmjet “Skype” me “Zona Gol” të Alban Xhihanit ftesën që mori nga trajneri Christian Panucci për ndeshjen miqësore me Turqinë.

Ish-mesfushori i Dritës, Ferizajt, Prishtinës dhe Partizanit tregoi se lajmi për grumbullimin në Kombëtaren A ishte krejt i papritur për të.

“Sapo isha kthyer në shtëpi nga stërvitje dhe mora biletat e udhëtimit për Kombëtaren U-21. Në atë moment më njoftuan se më datë 11 nëntor do t’i bashkohësha në Antalia Kombëtares”.

“Ishte një ndjesi e veçantë. Edhe pse më datë 14 kam një takim shumë të rëndësishëm me Vejlen, i thashë trajnerit që dua të shkoj të luaj miqësoren e Shqipërisë. Për sa i përket pozicionit tim në fushë, preferoj të qëndroj para mbrojtjes.”

Ramadanit iu kërkua edhe një opinion për situatën që po kalon ish skuadra e tij, Partizani.

“Partizani është një ekip që gjithmonë e nis sezonin me mendimin se mund të fitojë titullin. Iuliano mendoj se nuk e ka njohur ekipin, madje e ka nënvlerësuar kampionatin shqiptar. Gjithsesi, besoj se me Starovën skuadra do të ringrihet.”

Ramadani tha se shuma që ka përfituar Partizani nga shitja e kartonit të tij është rreth 200 mijë euro, ndërsa duke krahasuar kampionatet shtoi se në Danimarkë luhet një futboll më i shpejtë dhe fizik, por jo shumë taktik.