Feronikeli arriti t’i shkaktojë humbjen e parë Gjilanit në këtë kampionat.
Skuadra nga Drenasi triumfoi me rezultat minimal 2-1, në një ndeshje ku u ndanë edhe dy kartonë të kuq për secilën skuadër nga një.
Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani ka folur pas ndeshjes duke thënë se nuk ka asnjë fitore të lehtë.
Sipas trajnerit shqiptar nga Maqedonia, skuadra e tij tregoi karakter në këtë sfidë.
“Nuk ka asnjë fitore të lehtë. Gjilani ishte pa humbje deri sot dhe ishte e vështirë, por skuadra tregoi karakter”, ka deklaruar Ramadani për Supersportin pas ndeshjes.
“Po kemi rënie në pjesën e dytë pothuajse në çdo ndeshje dhe për këtë fajtor është përgatitje fizike e ekipit”, u shpreh Ramadani.
Ish-trajneri i Trepçës ’89 tha se skuadra e tij ka objektiv të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës
“Ne e kemi një objektiv, i shikojmë ndeshjet një nga një. Deri sot kemi menduar vetëm për Gjilanin. Që nga nesër mendojmë për rivalin e ardhshëm”, përfundoi Ramadani. /Telegrafi/