Telegrafi

Ramadani: Është humbje e hidhur pas 18 ndeshjeve pozitive

Zekirja Ramadani - Foto Ridvan Slivova/Telegrafi

Prishtina ka pasur një ecuri fantastike, por që është ndalur nga Feronikeli.

Skuadra nga Drenasi ka triumfuar me rezultat të pastër 2-0, falë dy golave të shënuar nga Simonovski.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka mbetur i zhgënjyer me humbjen pas 18 ndeshjeve në të gjitha garat.

“Patjetër që pas 18 ndeshjeve është humbje e hidhur. Kjo ndikon në aspektin psikologjik, ndeshja ishte e barabartë, fusha ishte e vështirë, në Drenas është vështirë të marrësh tre pikë”.

“Pak na pamundësoi ndeshja defansive që është meritë e Feronikelit. Këtë humbje duhet ta harrojmë shpejtë, sepse pas tre ditësh kemi ndeshjen ndaj Feronikelit në Kupë”, tha Ramadani në Art Sport.

“Kemi eksperiencën e duhur brenda ekipit dhe tani duhet të shohim përpara”, deklaroi Ramadani.

Tutje ai u pyet edhe për duelin e nesërm mes Ballkanit dhe Dritës, por që tha se nuk pret asgjë nga ky takim sepse nuk është tifoz i asnjërës.

“Ne humbëm takimin e sotëm, s’kemi çfarë të presim nga ndeshja Drita-Ballkani, s’jam as tifoz i Dritës, as i Ballkanit”, përfundoi Ramadani. /Telegrafi/