Site icon Telegrafi

Rama u shkruan lojtarëve: Forca vëllezër, është një ditë e re!

Kryeministri Edi Rama u ka shkruar një letër të hapur futbollistëve të Kombëtares dhe trajnerit italian pas humbjes me Francën. Më poshtë teksti i plotë:

Fort të dashur çuna,

I dashur Gianni,

Vëllezër kuqezinj,

jo sa ju, po si ju edhe unë dhe 10 milionë shqiptarë, ndjehemi sot të hidhëruar me pozicionin e Shqipërisë në tabelën e grupit. E cila nuk tregon çfarë ju shfaqët në dy ndeshjet e jashtëzakonshme që keni zhvilluar. E mbrëmshmja ishte ndoshta ndeshja më e bukur e historisë së Kombëtares. Dhe fundi i saj i pamëshirshëm nuk e zbeh aspak shkëlqimin e lojës suaj ekzaltuese për 89 minuta me radhë.

Të 24 mijë shqiptarët e pranishëm në shtëpinë e pretendentëve më të mëdhenj për kampionë të këtij Europiani, nuk dolën dot të gëzuar nga stadiumi madhështor i Marsejës. Por padyshim dolën shumë krenarë për ju. Krenarë për ju u larguan nga sheshet e mbushura plot të Shqiperisë e të Kosovës, për të ndjekur duelin tuaj heroik, edhe mijëra e mijëra të tjerët që e veshën mbrëmë kuqezi trupin e trojeve tona. Po edhe milionat e të tjerëve, qe ju ndoqën nga shtëpitë apo klubet kudo, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanovc apo vende të tjera të Europës e botës, u ndjenë krenarë për ju pas përfundimit të lidhjes direkte me fushën, ku rezultati ishte si një dënim krejt i pamerituar i çastit të fundit.

Unë dua t’ju falenderoj sot, me mirënjohjen më të thellë për gjithçka ju treguat mbrëmë, në finalet tona të para në histori ku Shqipëria është falë jush; ku 10 milionë shqiptarë janë pjesë e kësaj feste madhështore të futbollit europian, falë jush; ku falë jush, populli ynë po vazhdon të marrë një shembull të pakonkurueshëm të gjërave të jashtëzakonshme që ne shqiptarët mund të bëjmë, nëse jemi të gatshëm të japim më të mirën që kemi brenda nesh, duke bërë çdo përpjekje e sakrificë.

Europiani ynë nuk ka mbaruar ende. Pas një nate të trazuar nga befasia e rëndë e çastit të fundit, ju sot duhet të besoni më shumë se kurrë tek vetvetja dhe, siç thotë i madhi Marcelo Bielsa, në fjalimin e tij epik përpara skuadrës pas një humbjeje të pamerituar, “t’a pranoni helmin e padrejtësisë me besimin se, po të vazhdoni të luani kështu, do ta merrni me siguri atë që meritoni”. Mbase ajo që ju meritoni do të vijë edhe në fushën e lojës pas ndeshjes së tretë, po mbase jo. Por jini të bindur se cilidoqoftë rezultati përfundimtar i fushës së këtyre finaleve të jashtëzakonshme për ngjyrat e Shqipërisë, duke vazhduar të luani si mbrëmë, ju do ta merrni të plotë me siguri atë që meritoni në zemrat e në mendjet e popullit tonë. Po gjithashtu, do ta merrni edhe në sytë e të gjithë të huajve, të cilët sot flasin me shumë simpati për skuadrën tonë dhe me superlativa për sportdashësit fantastikë shqiptarë në Francë.

Forca vëllezër! Sot është një ditë e re që dua t’jua uroj me plot dritë në shpirt dhe energji në trup, përmes fjalëve kuptimplota të Colm O’Connell, trainerit irlandez të rekordmenëve botërorë kenianë të distancave të gjata: Fituesit janë humbësa që dinë t’i vlerësojnë si duhet disfatat e tyre

Exit mobile version