Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama i cili tha se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm edhe ndaj Shqipërisë”.
Ai shtoi se Serbia “nuk do të sulmojë askënd”, raporton nova.rs.
“U dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do ta sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme”, tha Vuçiq.
Askush nuk iu përgjigj deklaratave të tilla, imagjinoni sikur dikush nga ne ta kishte thënë këtë, do të kishit dëgjuar mallkime, fyerje dhe fushata të pista nga e gjithë bota, shtoi Vuçiq.
Ky i fundit deklaroi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do të shkelë marrëdhëniet me Rusinë apo Kinën”.
“Për sa i përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë. Ne kemi nevojë për Evropën, ndoshta jo për hipokrizinë e saj, por nuk mund të bëjmë pa të”, tha ai.
Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama në ATV deklaroi se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”. Ai tha se Kosova nuk është e vetme, jo vetëm sepse ka Shqipërinë, por edhe sepse ka edhe aleatë strategjikë. /Telegrafi/