Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se të ardhurat që do të mblidhen nga formalizimi i basteve online do të shkojnë për sportin, kulturën dhe teknologjinë.
Në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve të talentuar shqiptarë, kampionë Bote dhe Europe, Rama informoi mbi ligjin për aktivitetet e basteve online, i cili sipas tij pritet të miratohet që shpejti.
“Ne së shpejti kalojmë për miratim në Kuvend, pasi të hyjë këto ditë në procesin e konsultimit publik dhe pastaj në miratimin e qeverisë, ligjin për aktivitetet e basteve online, që do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se “eksperienca ka treguar se jo vetëm që ne nuk kemi mundur ta ndalim, por këtë nuk e ka bërë asnjë vend, përfshi edhe vendet me kontroll të madh”.
“Është një lloj aktiviteti që shfrytëzon hapësirat e internetit, ndaj në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon shumë para e zezë, të kthehet në aktivitet të formalizuar ku të kenë akses kompanitë ndërkombëtare dhe lojtarët të kenë garanci”, shtoi ai.
Rama tha se sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë, si mbështetje e mëtejshme e edukimit dixhital të të rinjve.
“Ndryshe nga më parë këto para nuk mund të merren e të përmbushin nevoja të tjera të qeverisë por do të jenë të fokusuara vetëm këtu. Do të kemi një strukturë të re që do të bëjë mbikëqyrjen e funksionimit të kësaj industrie të re. Do të kemi një bord kombëtar ku do të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga qeveria, KOKSH etj për të përcaktuar ndarjen e fondeve në mënyrë periodike sipas nevojave të federatave sportive, sektorit të kulturës apo të rinjve që janë të përfshirë në botën e zhvillimeve teknologjike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “është një fond i konsiderueshëm që parashohim dhe do të jetë një mbështetje e re shumë e domosdoshme por edhe shumë produktive për sportin që lëvizja sportive të vazhdojë e të fuqizohet me të gjitha federatat sportive”. /Telegrafi/