Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vazhduar sot me takime në ditën e dytë të samitit të NATO-s që po mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Rama ka shpërndarë një foto nga takimi me Presidentin e Francës Emmanuel Macron ku ka zbuluar edhe lajmin e vizitës së tij në Tiranë
“Me Presidentin e Francës, Emanuel Macron, i cili po përgatitet për të ardhur në Tiranë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë. /Telegrafi/