Telegrafi

Rama: Shqipëria ulet sot në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar

Ditën e sotme mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama u shpreh se, “sot Shqipëria ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”.

“Mirëmëngjes me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kryeministri do të takohet sot me homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në orën 08:30.

30 minuta më pas, ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndërsa në orën 11:00, nis Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Diskutimet janë të organizuara në dy panele.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE gjatë 3 dekadave të fundit ka ecur në një rrugë të vështirë. Tirana u detyrua të presë tre vjet për të marrë vendimin pozitiv të Brukeslit për mbajtjen e konferencës ndërqeveritar që do t’i hapte rrugë diskutimeve mbi kornizën negociuese dhe do të shënonte zyrtarisht çeljen e negocitave për anëtarësimin e Shqipërisë.

Në Shqipëri procesi i integrimit evropian konsiderohet thelbësor për zhvillimet demokratike. Rrugëtimi ka qenë dhe mbetet i vështirë në këto 30 vite pas rrëzimit të regjimit komunist, më kthesa dhe zhvillime të papritura.  /Telegrafi/