Site icon Telegrafi

Rama replikon ndaj komentuesve për 21 janarin

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu përgjigj sot reagimeve dhe komenteve në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen e 21 janarit.

Një ndër komentet në rrjetin social facebook, i drejtohet kryeministrit duke e akuzuar se për ngjarjen e 21 janarit, Rama nuk ka vendosur drejtësi, thjeshtë mashtrime. Se vetëm një 21 janar tjetër mund ta heqë nga pushteti kryeministrin.

Nga ana tjetër, Rama shpjegoi se të gjitha akuzat dhe pretendimet për mosdhënien e drejtësisë për 21 janarin janë të drejtuara në adresë të gabuar.

“Nuk është qëllimi im të bëj kurrfarë polemike me askënd. Shumë komentues nga dëshira për drejtësi harrojnë se jetojmë në një sistem ku drejtësinë nuk e bën as kryeminstri, as qeveria, as partia në pushtet. Besoj se duhet të jetë shumë e qartë se të gjitha pretendimet apo akuzat drejtuar meje apo nesh për mosdhënie ende të drejtësisë për 21 janarin, janë thjesht në adresë të gabuar”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se Partia Socialiste dhe ai personalisht kanë luajtur një rol kyç në implementimin e Reformës në Drejtësi, duke krijuar mundësinë për një sistem të ri dhe më të pavarur të drejtësisë. Sipas tij, është e qartë se, mund të ketë kritika ndaj mënyrës se si po trajtohen disa raste.

“Nuk kemi qëndruar duarkryq, kemi bërë një betejë historike, epokale për drejtësinë, për pavarësimin e saj nga pushteti politik që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë. Pa PS dhe mua në krye, nuk do kishte as reformë në drejtësi dhe as ndryshim të dukshëm në rrugën e re të saj, edhe pse mund të ketë plot gjëra të kritikueshme”, tha Edi Rama.

Exit mobile version