Site icon Telegrafi

Rama reagon pas zgjedhjeve: Nuk ka arsye për të festuar pasi bota po përballet me kizën në Ukrainë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për herë të parë për zgjedhjet lokale të 6 marsit, ku të dhënat paraprake nxjerrin fituese Partinë Socialiste në 5 prej 6 bashkive ku u mbajtën zgjedhje.

Në një postim në rrjete sociale, kreu i PS-së tha se në këto zgjedhje zgjeruan hendekun e votave me rivalët, por kjo sipas tij nuk është një arsye për të festuar, pasi bota prej disa ditësh ka ndryshuar për shkak të luftës në Ukrainë.

Lexo po ashtu Zgjedhjet lokale, PS merr Dibën duke fituar në 4 bashki, numërimi vazhdon në Durrës dhe Shkodër

“Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit”, ka thënë Rama.

“Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje. Sa hap e mbyll sytë, bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo”, ka shtuar Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version