Telegrafi

Rama i quan të paarsyeshme arrestimet e zyrtarëve komunal: Kontratat mbi vepër janë të nevojshme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur për arrestimet që ndodhën javën e kaluar në Komunën e Prishtinës.

Ai ka deklaruar të hënën se arrestimet kanë të bëjnë më disa kontrata mbi vepër, për të cilat ka pohuar se janë të nevojshme për Prishtinën, derisa arrestimet i ka quajtur të paarsyeshme.

“Unë e kuptova këtë sa isha jashtë vendit dhe e pash që i kanë marrë në pyetje nënkryetarin dhe shefin e personelit. Siç e mora vesh në pyetje çështja e kontratave mbi vepër, siç e dini ju kryeqyteti funksionon në një buxhet të një densiteti të 180 mijë banorëve, pra në të dhëna të vitit 2011, pra jemi 12 vjet prapa.

Kryeqytetit i kërkohen shërbime të shumta dhe këto kontrata mbi vepër janë të ndërlidhura qysh përpara në shërbime në aspektin e administratës, shëndetësisë dhe inspektoratit. Pra janë të nevojshëm pasi numrat që i kemi ne nuk janë të mjaftueshëm për të kryer shërbime në kryeqytet. Besoj se ajo çka ka ndodhur është jashtë proporcioneve, nuk e shoh si të arsyeshme, por po ia lëmë proceseve ligjore të merren me këto punë. Nuk e shoh se ka pasur asgjë jashtë normales”, theksoi Rama, raporton KP.

Lexo po ashtu U ndalua për shkak të punësimit të 10 personave në QPS, reagon Mujku: Jam i pastër si loti

Tre zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar

Të arrestuarit janë shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku dhe Shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër, Valbona Makiqi. /Telegrafi/