Site icon Telegrafi

Rama premton 100 dhe 150 euro bonus fundviti për pensionistët

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në seancën plenare ku do të diskutohet gjerësisht projektbuxheti për vitin 2025. Në fjalën e tij, Rama u ndal gjerësisht te pensionet, ku njoftoi se do të ketë dy bonuse gjatë vitit për pensionistët.

Njëri prej tyre do të jepet gjatë festave të fundvitit, ku ata që kanë pensionin nën 20,000 lekë do të marrin 150 euro bonus, ndërsa pensionistët që marrin mbi 20,000 lekë pension do të përfitojnë 100 euro bonus.

Përveç bonusit të fundvitit, pensionistët do të marrin edhe një bonus në pranverë. “Paralelisht me shpërndarjen të bonusit, në ditët para dhjetorit do të krijojmë pranë BSH fondin për një bonus të dytë. Ky do të jetë bonusi i pranverës, që do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere. Vitin e ardhshëm do kemi edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike që do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët”.

Rama iu përgjigj edhe kritikave për pensionet e ulëta, duke kujtuar reformën e pensioneve të vitit 2014. Ai theksoi se të gjithë ata që kanë dhënë më shumë kontribute, marrin pension më të lartë dhe jo një pension tavan, siç ndodhte para vitit 2014.

“A e dini, për shembull, që mësueset me 38 vite pune, që kanë dalë në pension para se ne të vinim në qeveri, merrnin pensionin 23 mijë lekë. Ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune, që ka dalë në pension pas vitit 2014, e ka pensionin 36 mijë lekë, ose 56 për qind më të lartë.

Për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë, i dalë në pension para 2014-ës me pension maksimal të deri 10 viteve më parë prej 24 mijë lekësh, plus indeksimet merr 35 mijë lekë. Ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014-ës e kanë sot pensionin 51 mijë lekë. E njëjta gjë për gjyqtarët dhe ekonomistët, të dalë në pension me atë pensionin tavan 24 mijë lekë para 2013-ës, ndërkohë që sot e kanë 53 mijë lekë dhe 50 mijë lekë.

Mbështeten vetëm me pension minimal social vetëm ata që nuk kanë derdhur sigurime shoqërore. Për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 10-vjeçari, si rrjedhojë e reformës së vitit 2014, llogariten me kontributet e secilit dhe dalin më të larta, ndryshe nga çfarë ndodhte me të pensionuarit para ardhjes sonë në qeveri, kur ‘sudet’ dhe ‘rrapushët’ në qeveri as nuk i fusnin fare kontributet e atyre që kishin punuar”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version