Site icon Telegrafi

Rama: Policët e rrëmbyer të kthehen sa më parë në shtëpi, nuk ka paralele mes tyre dhe personit me precedent kriminal të arrestuar në veri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të enjten se policët e kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës duhet të kthehen sa më parë në shtëpi.

Ai ka thënë se janë të fokusuar 100 për qind në lirimin e tyre, ndërsa ka përmendur faktin që KFOR-i ende nuk ka dalë me konkluzione publike lidhur me vendndodhjen e tyre.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedent kriminal të arrestuar nga Policia e Kosovës në veri.

“De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, ka përfunduar kryeministri shqiptar.

Ndryshe, një ditë më parë kryeministri Rama ka deklaruar se nuk po heshtë për kidnapimin e policëve kosovarë, por po pret hetimet e KFOR-it.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka shkruar ai në Twitter.

Tre zyrtarë kufitarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri.

Njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./Telegrafi/

 

Exit mobile version