Telegrafi

Rama për koalicionet e mundshme: Negociata me qytetarin, qeverisje me profesionistë pa dallim partie

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për planin, projektet dhe synimet që i ka nëse zgjidhet kryetar i Prihtinës, garë kjo e cila do të mbahet më 14 nëntor 2021.

Në këtë intervistë Rama është pyetur për koalicionet e mundshme për garën e balotazhit që mund të bëjë LDK-ja në Prishtinë.

“Gjatë gjithë kohës ne jemi duke negociuar me qytetarin. Me qytetarin e Prishtinës pa dallim”, tha ai në “Përballje”, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se qysh në fillim kur e ka shpallur kandidaturën ka thënë se gara në kryeqytet duhet të jetë garë e ideve jo e partive.

“Ne i kemi idetë dhe programet që janë të lidhura drejtpërdrejtë me jetën e banorëve të Prishtinës dhe tashmë e kemi fituar besimin e tyre me projektet konkrete”.

Nëse fiton garën Rama thotë se do të ketë një ekip profesionistësh.

“CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, deklaroi tutje Rama./Telegrafi/