Site icon Telegrafi

Rama paralajmëron reduktime të energjisë në Shqipëri: S’kemi blerë dot gjithë sasinë

Nga Pogradeci, ku po zhvillon një takim me kryebashkiakët, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mund të vijë dita që të ketë reduktime të energjisë elektrike, për shkak se Shqipëria nuk ka mundur të sigurojë të gjithë sasinë e energjisë së nevojshme.

Kryeministri thekoi se qeveria ka përgatitur edhe planin e emergjencës për kursim të energjisë elektrike që parashikon edhe shkurtimet e energjisë elektrike me fasha orare, por që do të vihet në zbatim vetëm në rast emergjence.

Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim për kursim të energjisë elektrike, duke i kërkuar edhe kryebashkiakëve angazhim në këtë drejtim.

“Shitej 492.7 euro, çmimi tavan 600 euro. Sot e një vit përpara është shitur midis 90 dhe 98 euro. Ajo që ka ndodhur sot është që ne nuk kemi arritur të blejmë të gjithë sasinë që kishim nevojë. Kjo është sfida e përditshme. Kush thotë dua investime, duhet të ketë parasysh që ne këtë diferencën e tmerrshme mes 90 dhe 600 do ta paguajë buxheti i shtetit që mos e paguajnë bizneset e vogla. Unë e kam thënë që ditën e parë, nëse do vijë dita që ne do duhet të prekim energjinë dhe t’u themi njerëzve se fatura t’u rrit, aty do fillojnë ta kuptojnë se çfarë do të thotë kjo kohë që jetojmë dhe fakti që kjo nuk ndodh është sepse qeveria jonë nuk po e lë të ndodhë”, tha kryeministri transmetojnë mediat.

“Kjo është një fazë shumë e vështirë. Shpresojmë që gjërat të normalizohen, por ne duhet të punojmë duke menduar që gjërat do bëhen me keq dhe më e keqja është të rritet më shumë çmimi dhe mos të ketë fare në treg. Është përgatitur hapi tjetër për fashën më të lartë dhe ndërkohë është përgatitur edhe plani i shkurtimeve. Është plan emergjence, nuk është sot, por njerëzit duhet të ndërgjegjësohen dhe të kursejnë”, tha Rama.

Exit mobile version