Telegrafi

Rama ofroi vaksinat antiCOVID-19 për mjekët e Kosovës, FSSHK e shqetësuar me heshtjen e Qeverisë  

Foto: Arkiv

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me mos reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë pas ofertës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për vaksinim të punëtorëve shëndetësor.

Në njoftim thuhet se kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla për këtë çështje ka komunikuar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani i cili është angazhuar direkt për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor në Kukës, por, për fat të keq Ministria e Shëndetësisë së Kosovës deri më tani është duke e neglizhuar ofertën.

Lexo po ashtu ​Shqipëria nis vaksinimin e mësuesve, Rama fton mjekët nga Kosova që t'i marrin vaksinat kundër COVID-19 në Kukës

“….Prandaj apelojmë tek Ministria e Shëndetësisë që nëse nuk ka mundësi dhe gatishmëri për  organizimin e marrjes së vaksinave në Kukës për punëtorët shëndetësor atëherë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është e gatshme të merr komplet organizimin për realizimin e vaksinimit të ofruar, në të kundërtën çdo vonesë është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndryshe, pas mbërritjes së më shumë se 38 mijë vaksinave në Shqipëri nga kompania AstraZeneca, ditën e sotme pritet që të nisi vaksinimi i të gjithë mësuesve atje.

Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë i bëri thirrje edhe mjekëve të Kosovës të shkojnë për të marrë vaksinën në Kukës, në pamundësi për të dërguar një sasi në Kosovë për shkak të kontratës. /Telegrafi/