Site icon Telegrafi

Rritje e pagave në Shqipëri, 7 deri 15 për qind për disa kategori

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se do të ketë rritje page për disa kategori.

Rama në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se është marrë vendimi për të mbështetur punonjësit e policisë të kenë një shtesë page, konkretisht niveli bazë do të kenë një shtesa prej 15 për qind, ndërsa niveli i mesëm 7 për qind.

Po ashtu, Kryeministri Rama dha lajmin se shtesa page do të kenë dhe punonjësit e administratës, punonjësit e gardës si dhe zjarrfikësit.

“Policia e Shtetit, në nivelet bazë, të gjithë punonjësit e policisë në nivel inspektorësh dhe niveli i mesëm, të kenë një shtesë page. 15 për qind rritje do të ketë niveli bazë, 7 për qind niveli i mesëm”, tha Rama.

“E njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, zjarrfikësit, administratën publike. Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, shtoi kryeministri.

Më tej, Rama nënvizoi se “principi mbetet po ai i ditës së parë: kush ka më pak, mbështetet më shumë”.

“E njëjta gjë do të ndodhë me pensionet, që janë riindeksuar dhe kemi rritje prej 9.5 për qind në raport me pensionin e një viti më parë. E njëjta gjë me familjet me ndihmë ekonomike, që kanë një rritje prej 10 për qind. Po ashtu, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, që janë me ndihmë ekonomike, bëhet dyfishim i ndihmës. Patjetër edhe indeksimi për personat me aftësi të kufizuar”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version