Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama mori pjesë në takimin vjetor të shefave të Mbrojtjes në kuadër të “Kartës së Adriatikut A-5”, që u mbajt në Budva, Mali i Zi, nga data 3 deri më datën 5 tetor 2018.
Zyra për informimin e FSK-së bën të ditur se Rama në adresimin e tij në kuadër të konferencës “SHBA-Karta e Adriatikut A5”, i njoftoi homologët e tij lidhur me tranzicionin e FSK-së dhe zgjerimin e kompetencave të saj.
“Gjeneral Rama me theks të veçantë foli për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në nivel rajonal; me qëllim të rritjes së ndërveprueshmërisë, besimit dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin për media.
Komandanti Rama dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak amerikan koloneli Nichols Ryan, zhvilluan një takim të përbashkët me zëvendëskomandantin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë (EUCOM) gjenerallejtënant Stephen M. Twitty, ku së bashku diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.
Gjeneral Rama e njoftoi gjeneralin Twitty lidhur me procesin e tranzicionit, zhvillimin profesional të FSK-së, integrimin e komunitetit jo shumicë, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gardën Kombëtare të Ajovës- SHBA, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet FSK-ja.
“Gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjithashtu zhvilloi takime edhe me shefat e Mbrojtjes të Kroacisë, të Republikës së Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dhe se bashku u pajtuan që në të ardhmen ta rrisin bashkëpunimin dypalësh në shkëmbimin e përvojave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/