Site icon Telegrafi

Rama në Samitin e Shkupit: Vendimet e sotme do të shënjojnë të ardhmen e vendeve tonë në dekadën e ardhshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot nga Shkupi, ku po merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit me zyrtarë të SHBA-ve dhe BE-së.

Në fjalën e tij në nisje të takimit, Rama tha se ky organizim është tepër i rëndësishëm për hapat që rajoni duhet të ndërmarrë për t’u afruar me Bashkimin Evropian.

Kreu i qeverisë theksoi se vendet e Ballkani duhet të vendosin interesin e qytetarëve të parin dhe të lënë në plan të dytë historinë.

“Është një takim i rëndësishëm pasi jemi këtu për të bërë bashkë mendimet tona me përfaqësuesit e BE dhe SHBA për një hap të rëndësishëm që duhet ta ndërmarrim për tiu afruar BE-së diçka që deri tani ka qenë e mundshme vetëm për vendet anëtare. Prandaj është një mundësi e madhe që nuk duhet ta lëshojmë dhe duhet të bashkëpunojmë gjithë 6 vendet e Ballkanit dhe ti vendosim qytetarët në vend të parë e politikën dhe historinë në rend në dytë sepse çfarëdo që bëjmë në muajt e ardhshëm do të definojë se si do të duken shtetet tona në dekadën e ardhshme”, tha Rama.

Rama tha se bëhet fjalë për planin e ri të rritjes ekonomike të BE dhe integrimin në tregun e përbashkët që deri tani ka qenë e mundur vetëm për vendet që kanë qenë të anëtarësuar në BE.

Rama e cilësoi këtë si ndryshim dhe mundësi e madhe që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta humbin. /Telegrafi/

Exit mobile version