Site icon Telegrafi

Rama në Samitin e BERZH: Shqipëria dhe rajoni janë destinacion i favorshëm për investime serioze

Në selinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër po mbahet këtë të hënë Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau sugjerimet e tij për nxitjen e investimeve të reja dhe bashkëpunimin në projektet rajonale dhe ndërkufitare.

Rama, duke folur online, shprehu se Shqipëria ka përjetuar ndryshime të konsiderueshme, duke përmendur arritjen e 10 milionë turistëve vitin e kaluar si shembull të suksesit. Ai vuri në dukje se borxhi publik në vend ka rënë për herë të parë nën 60%.

“Rajoni po ndryshon, bota po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar. Nga një vend me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend që vitin e kaluar ka arritur një shifër prej 10 milionë turistëve. Dallimi para 10 vitesh është se resurset tona po diversifikohen me energji solare dhe energji të erës. Sistemi ynë, i cili ishte gati për tu shkatërruar për shkak se shumica e popullatës nuk paguante faturën, sot ka një pamje tjetër.
Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar edhe në kohën e krizës, ndërsa borxhi publik ka shkuar në një nivel historik, nën 60%” – deklaroi Rama.

Lexo po ashtu Kurti i reagon kryeministres serbe: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’

Ai po ashtu theksoi se Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit, është një destinacion i favorshëm për investime serioze. Në përgjigje të pyetjes pse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri, Rama tha: “Një përgjigje e thjeshtë është: Duhet sepse nëse nuk e bëjnë ata, dikush tjetër do ta bëjë.”

Ky është samiti i gjashtë i këtij lloji që BERZH-i zhvillon, dhe Ballkani Perëndimor mbetet një rajon prioritar për BERZH-in. Organizata e financimit ndërkombëtar është një ndër investitorët më të mëdhenj në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të financuara deri më sot. /Telegrafi/

Exit mobile version