Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se nga 3 korrik çdo shërbim në Zyrat e Kadastës do të merret vetëm online përmes portalit qeveritar e-Albania.
Lajmin e ka bërë në një postim në rrjetet sociale duke thënë se duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme çdo gjë do të jetë me nënshkrim e vulë elektronike.
“Nga e hëna 3 korrik mbyllen sportelet e kadastrës dhe mbaron regjimi 30 vjeçar i letrave, vulave, shefave! Gjithçka online me nënshkrim e me vulë elektronike! Praktika “të paguash për të marrë shërbimin apo të shërbesh duke u paguar” do të arkivohet si pjesë e historisë së dhimbshme të së shkuarës”- shkruan Rama.
Gjatë një konference për shtyp, ai tha se Kadastra duhet patjetër të certifikohet si institucion i standardeve evropiane dhe tashmë ky proces ka nisur.
“Kadastra duhet të certifikohet si institucion i standardeve evropiane dhe do të marrë të gjitha ISOt e nevojshme. Sot kemi hyrë në këtë proces, por deri dje kadastra konsiderohej si makinë mishi që grinte prona dhe hante jetë njerëzish. 9 drejtorë kadastrash janë ndërruar në Vlorë, 9 deri në momentin kur unë i numërova; pastaj hoqa dorë nga numërimi, hoqa dorë edhe nga përpjekjet si deputet i Vlorës”, tha Rama.
“Lajmi im për të gjithë ata që i rrinë rrotull kadastrës së Vlorës si ujqërit një preje, është “ikni se nuk ka më vend për ju”. Nuk e di sa e ndieni ju atë që ndiej unë kur i them këto fjalë. Jemi të gjithë këtu përgjegjës për këtë situatë”, tha Rama. /Telegrafi/