Site icon Telegrafi

Rama mbledh sot Asamblenë Kombëtare të PS

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbledh sot Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku do të prezantohen raportet e grupeve të punës të ngritura nga kryesocialisti, pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Gjatë punimeve të saj, pritet të prezantohet edhe përbërja e qeverisë së re dhe emrat e ministrave që do të drejtojnë dikasteret më të rëndësishme në vend.

Asambleja do të mblidhet në orën 10.00 të paradites së të dielës, ku çelja e punimeve do të bëhet nga kryetari i Asamblesë dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi.

Më tej do të prezantohet nga raporti i grupit të punës për veprimtarinë parlamentare, do të prezantohet raporti i dëgjesave publike dhe përmbledhja e 12 qarqeve të vendit.

Po ashtu Niko Peleshi do të prezantojë në vijim raportin e grupit të punës për ristrukturimin e institucioneve.

Në vijim Arben Ahmetaj do të prezantojë raportin e grupit të punës për lehtësimin e Procedurave Burokratike.

Më tej Blerina Gjylameti do të bëjë bilancin e zgjedhjeve 2017 dhe raporti i grupit të punës për organizimin dhe Koordinimin Elektoral të PS.

Në vijim të punimeve do të miratohet projektvendimi për zgjedhjet e reja në parti.

Në mbyllje do të flasë kryetari i partisë Edi Rama, ku do të bëjë bilancin politik të zgjedhjeve të 25 qershorit dhe sfidat e mandatit të ri.

 

Exit mobile version