Telegrafi

Rama: Mbeta i dëshpëruar që nuk u grumbullova

Një ndër lojtarët që ka qenë në grupin kuqezi vitet e fundit, Valdet Rama, ka mbetur jashtë listave të Gianni De Biasit prej kohësh, kryesisht për shkak të dëmtimeve të shumta.

Megjithatë, mesfushori i Mynih 1860 nuk e fsheh zhgënjimin e tij, duke folur për Panorama Sport, pasi kohët e fundit është kthyer në formë, aq sa ishte vendimtar në mbijetesën e klubit të tij në Bundesligën 2.

“Ka qenë një sezon i vështirë për mua, pata disa dëmtime radhazi, por më gëzon fakti se në fund gjeta formën optimale dhe ndihmova skuadrën time të mbijetonte”, shprehet Rama, i cili kalon te kombëtarja.

“Mbeta i dëshpëruar që nuk u grumbullova, kam dhënë gjithnjë maksimumin për Kombëtaren. Besoj se trajneri e di sa vlej dhe e prisja një shans, por kohët e fundit De Biasi e ka humbur besimin kundrejt meje. Jam një prej lojtarëve që nuk janë përkrahur këtë sezon, por e respektoj vendimin dhe i uroj më të mirat skuadrës”.

Kur i duhet të flasë për shanset e Shqipërisë, Rama jep një deklaratë të shkurtër, pa shpjegim shtesë: “Nuk do të jetë e lehtë për Shqipërinë. Gjithashtu, portierët do të kenë ndeshje të vështira. Më shumë nuk mund të flas”.

Kosova, një mundësi? “Për momentin nuk kam koment për këtë pyetje, por Kosovën e kam në zemër”.