Kryeministri Edi Rama ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj dy vogëlushëve, Alesios dhe Aurelit.
Këtë të hënë, siç edhe kishte deklaruar, ai i mori me makinë dy djemtë për t’i shoqëruar në ditën e tyre të parë të shkollës, pas ndërprerjes nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama lajmin e ka bërë të ditur me anë të një videoje në Facebook.
“Me Aurelin dhe Alesjon, në ditën e parë të shkollës, Ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”, shkruan Rama.
“Duhet të jeni kampion në mësime”, i porositi Rama, ndërsa udhëtonin për në shkollë.
Dy fëmijët janë nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ahmet Zogu” në Kamëz.
Aureli është në klasën e parë dhe u prit nga shokët dhe shoqet që i uruan mirëseardhje. Më pas, Rama e dorëzoi Alesion në klasën e pestë, të cilin po ashtu e pritën nxënësit e klasës.
Të dy djemtë vinë nga Thumana. Pavarësisht humbjeve tragjike që patën në familjet e tyre, ata i shpëtuan mrekullisht tragjedisë së 26 nëntorit. /Telegrafi/