Site icon Telegrafi

Rama: Lehtësi për pajisjen me pasaportë të talenteve në sport të lindur jashtë vendit

Ndryshimet e miratuara në ligjin “Për shtetësinë” nga Kuvendi i Shqipërisë, u krijojnë mundësinë talenteve të sportit që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, që të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këto ndryshime në ligj të propozuara nga qeveria.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për shtetësinë” u miratua mbrëmë në Kuvend me 95 vota pro dhe 1 kundër.

Edhe më herët, Federata Shqiptare e Futbollit kishte kërkuar ndërhyrjen në ligj për të mundësuar marrjen e pasaportave për sportistët e rinj.

Gjithashtu përmes amendimeve të tjera, përjashtohen nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë, aplikantët për shtetësi me natyralizim, të cilët vijnë nga shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me shtetasit me status refugjati që e kanë të vështirë të nxjerrin vërtetime nga vendi i tyre për shkak të rrethanave ku ndodhen dhe kërkojnë të fitojnë të drejtën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare. /Telegrafi/

Exit mobile version