Instituti GAP, ka publikuar premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave sipas fushave për mandatin qeverisës 2021-2025.
Bekim Salihu analist politikash në Institutin GAP në një konferencë për media, tha se janë 1 mijë e 819 premtime në total.
Sipas tij, numrin më të madh të premtimeve për mandatin e qeverisës 2021-2025 ka dhënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me 206 premtime.
Pasuar nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza me 123 premtime.
Në vendin e tretë është kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni me 109 premtime.
Kurse, me numër më të vogël të premtimeve prej të gjithë kryetarëve aktualë të komunave është kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, me 19 premtime.
Salihu theksoi se përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë përgjegjës kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna.
“Për nga shtrirja aktuale politike e komunave, numër të barabartë të komunave, përkatësisht nga tetë komuna kanë fituar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pesë komuna ka fituar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), katër komuna Lëvizja Vetëvendosje, dhjetë komuna Lista Serbe, një komunë Iniciativa Qytetare për Obiliqin, një komunë Nisma Socialdemokrate dhe një komunë udhëhiqet nga komuniteti turk i Kosovës”, thuhet në raport.
Ndryshimi i pushtetit, nga një parti në partinë tjetër, ka ndodhur në 12 komuna (Prishtinë, Shtime, Gjilan, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Hani i Elezit, Vushtrri, Dragash, Junik, Mamushë dhe Skenderaj), ndërsa, në 11 komuna të tjera kemi ndryshim të kryetarit të komunës, ndonëse partia mbetet e njejta me mandatin e kaluar. Kjo do të thotë se 15 kryetarë komunash kanë siguruar vazhdimin e mandatit për periudhën 2021-2025. /Telegrafi/